Projekti për Tregun Vlorë, FSHZH shpall fituesin e kontratës 1.4 mln euro
FSHZH ka shpallur fituesin për fazën e dytë të projektit të transformimit të Tregut të Vlorës dhe zonave përreth.
Tregu i Vlorës dhe rrugicat përreth tij, të pozicionuara pranë qendrës historike të qytetit, do të transformohen përmes një projekti që do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Institucioni ka shpallur fituesin e kontratës me objekt “Investime për infrastrukturën e tregjeve, hapësirave tregtare, multifunksionale, rrugë tregtare në zona model zhvillimi, Faza III, Rajonet 3&4: Tregu Vlorë – Faza 2”, ku kompania T&Xh është përzgjedhur me një ofertë prej 139 milionë lekësh, ose rreth 1.4 milionë euro.
Zona e ndërhyrjes
Projekti përfshin tregun tradicional të Vlorës, i vendosur përballë Qendrës Historike, pranë rrugëve “Justin Godard” dhe “Jani Minga”, rreth 500 metra në lindje të sheshit “Pavarësia”. Kjo zonë përbëhet nga tregu i vjetër i qytetit, me tezga frutash, perimesh, produkte artizanale dhe veshjesh, të cilat do të përfshihen në një proces rivitalizimi urban.
Hapësirat që do të transformohen
Ndërhyrja parashikon përfshirjen e rrugicave tregtare, sheshit dhe merkatës, sheshit numër dy të Kinoteatrit, si edhe rivitalizimin e hapësirës së trotuarit dhe sheshit përpara Postës. Synimi kryesor është krijimi i një unifikimi vizual dhe funksional të sipërfaqeve, të cilat do të trajtohen kryesisht me beton, sipas një koncepti të integruar urban.
Materialet dhe zgjidhjet urbane
Sipas dokumentacionit të projektit, betoni i pigmentuar do të aplikohet kryesisht në zonën e Sheshit të Kinoteatrit dhe të Markatës, me qëllim rritjen e atraktivitetit vizual dhe krijimin e poleve rekreative për qytetarët, përtej funksionit tregtar. Ndërkohë, betoni i papigmentuar do të përdoret në zonat e tjera të brendshme, për të ruajtur uniformitetin dhe qëndrueshmërinë e sipërfaqeve.
Për sheshin dhe trotuaret përreth Postës propozohet shtrimi me pllaka terrakote, në vazhdimësi me projektet ekzistuese që po zbatohen aktualisht në zonë. Kjo ndërhyrje është në përputhje me projektin “Bulevardi i Jacarandave”, të zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku parashikohet edhe zgjerimi i trotuarit në anën perëndimore të bllokut.
Rrugicat tregtare dhe merkatat
Një pjesë e rëndësishme e projektit lidhet me zonën e rrugicave tregtare, e cila është konceptuar dhe studiuar në katër module të veçanta, me qëllim analizimin e çdo segmenti sipas karakteristikave funksionale dhe hapësinore. Për merkatën e hapur parashikohet një formë eliptike, me skelet mbajtës metalik dhe veshje prej druri, duke ruajtur identitetin tradicional të tregut.
Rivitalizimi i sheshit të dytë përfshin fillimisht restaurimin e gjendjes ekzistuese dhe më pas shtimin e volumeve me një kat mbi strukturën aktuale. Edhe sheshi përpara Postës do të ndjekë të njëjtën logjikë urbanistike, si vazhdimësi e projekteve të mëparshme të zbatuara nga FSHZH, përfshirë “Bulevardin e Jacarandave”.